Marrëveshja e arritur mbrëmë në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë rreth asociacionit të komunave serbe – të cilën të plotë mund ta lexoni këtu – i krijon kornizat e një institucioni i cili nuk sqarohet se çfarë është me emër por i cili, në bazë të përshkrimit të mandatit, duket larg nga të qenit ndonjë trup etnik me fuqi bllokuese dhe sabotuese sipas modelit të Bosnjës, apo një entitet autonom që do të ketë bazë të mjaftueshme ligjore për shkëputje eventuale prej Kosovës. Kjo për shkak se marrëveshja i evitoi tre rreziqet kryesore që mund të vinin prej një asociacioni etnik.