Miqësia Serbe Shqiptare
Në dallim nga një numër intelektualësh dhe historianësh të cilët pretendojnë se armiqësia dhe midis Serbëve dhe Shqiptarëve është e lashtë dhe në një mënyrë e naturshme, pasi ajo është e rrënjosur në të kaluarën, burime të dokumentuara tregojnë se marrëdhëniet Serbo-Shqiptare në thelb kanë qënë miqësore deri në çerekun e fundit të shekullit të 19-të.
Përkatësisht kjo nismë tregon se serbët dhe shqiptarët gati 1.500 vjet nuk kanë jetuar pranë njëri-tjetrit, por me njëri-tjetrin, pra që shumë hapësira të Ballkanit kanë qenë të përziera etnikisht deri në kohë relativisht të reja. Me fjalë të tjera, para krijimit të programeve nacionale dhe përpjekjeve për krijimin e shtetit nacional dhe (të pastër) etnik, pra prej gjysmës së dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë e deri më sot, në Ballkan jetohej bashkë. Natyrisht, me tundime, mosmarrëveshje të rastit, grindje personale dhe në
kornizat e ndryshme politike ku dikur kanë dominuar sundimtarët ortodoksë, katolikë apo myslimanë, të huaj a vendas, e kështu me radhë. Qoftë më mirë a më keq, më zor e më lehtë, por jetohej bashkë. Pra historia jonë në esencë është historie jetës së përbashkët, jo e fqinjësisë.
Ekzistojnë shumë histori të bukura rreth miqësisë dhe dashurisë midis Serbëve dhe Shqiptarëve nga e kaluara në të tashmen. Në mesjete, burime të ndryshme flasin rreth martesave të shpeshta dhe lidhjeve midis familjeve fisnike mesjetare Serbe dhe Shqiptare- Brankoviq, Balshajt dhe Kastrioti si shumë fisnikë të tjerë bashkëkohorë u martuan me Serbe apo Shqiptare.
Për më shumë informacion: Lidhjet dinastike serbo-shqiptare në mesjetë
Në nismën Kur Janë Dashur Shqiptarët dhe Serbët, ne mblodhëm dhe botuam një numër historish të këndshme mes Serbëve dhe Shqiptarëve. Aleksandar Pavloviq shkruajti për Jani Kondon, shqiptarin që ishte njëri prej heronjve më të mëdhenj të Kryengritjes së Parë serbe kundër turqve, në fillim të shekullit XIX, ku me guxim edhe u flijua duke luftuar në anën serbe. Kondo ka një rrugë në Beograd dhe një pllakë përkujtimore në Manastirin Tërnosha, por ato nuk e përmendin prejardhjen e tij shqiptare. Natasha Markoviq përshkruan një rrëfim romantik për dashurinë mes arkitektes së parë serbe, Jelisaveta Naçiq, dhe intelektualit shqiptar, Lukë Lukaj, të cilët bashkë kanë luftuar në kryengritjen shqiptare për pavarësi. Jeton Neziraj shkruan për aktorin e madh shqiptar dhe jugosllav, Faruk Begolli, dhe martesën e tij beogradase me balerinën Zoja Gjokoviq. Për aktorin tjetër të madh kosovar, Bekim Fehmiu, dhe martesën e tij me Branka Petriqin, shkruan Agron Bajrami. Ky bllok “martesor” plotësohet me tekstin e antropologes Armanda Hysa, e cila ka vizituar shqiptaret nga Shqipëria Veriore, që sot martohen me serbë dhe jetojnë kryesisht nëpër fshatrat rurale dhe malore të Serbisë. Muzikologia Ana Petrov shkruan për rock-and-roll këngët në gjuhën shqipe, që ishin hite në ish-Jugosllavi, ndërsa Srdgjan Atanasovski ndriçon traditën specifike të sinkretizmit në Kosovë, ku disa vende të shenjta me shekuj janë respektuar bashkërisht dhe janë mirëmbajtur nga banorët myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, pa marrë parasysh prejardhjen etnike dhe përkatësinë. Jelena Lonçar flet për përpjekjet bashkëkohore për ndërlidhjen e grave të respektuara shqiptare dhe serbe, intelektuale, politikane dhe gazetare, si një lloj iniciative të vlefshme dhe shpresë për ngrohjen e marrëdhënieve serbo-shqiptare në të ardhmen. Në fund, Fahri Musliu shkruan për Petrit Imamin e ndjerë dhe përpjekjet e energjitë që ai i shpenzoi në disa dekada për hir të bashkëpunimit kulturor dhe mirëkuptimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Kështu, në fakt, kur më thellë shikojmë veten dhe të kaluarën tonë, e shohim se shqiptarët dhe serbët përgjatë historisë kryesisht kanë jetuar bashkë dhe në paqe, njëri pranë tjetrit dhe njëri me tjetrin. Andaj, me gjithë mendimin sot dominues për një armiqësi shekullore mes serbëve dhe shqiptarëve, burimet dokumentare dhe shkrimet e ndryshme nga kohët e vjetra lënë të kuptohet se serbët dhe shqiptarët njëri-tjetrin kryesisht e kanë parë si miq që nga kohët më të lashta, gjatë mesjetës, e deri vonë në shekullin XIX, andaj dhe nuk mund të flitet për ndonjë diskurs të lashtë, shekullor antishqiptar apo antiserb.
Për shembull, në njërin prej burimeve më të vjetra, arsimuesi serb, Dositej Obradoviq, në kujtimet e tij “Život i priključenija” (Jeta dhe të ndërlidhurat), të botuara në vitin e largët 1783, evokon kujtimin “për atë kombin e guximshëm dhe ato toka të mrekullueshme”, të cilat i ka njohur duke qëndruar në mesin e shqiptarëve në afërsi të Gjirokastrës, në Shqipërinë Jugore, më 1769. Veç kësaj, dëshmia e tij këtu është e vlefshme, sepse tregon se ai, në veprën e tij, në frymën konsekuente të një arsimuesi, thekson se shqiptarët e meritojnë arsimimin dhe diturinë, dhe se janë një popull i guximshëm që i banon ato toka të bukura dhe kanë një prejardhje të përbashkët me serbët.
Tutje, ata që besojnë në mendimin që sot tashmë është i ngulitur se si serbët dhe shqiptarët, prejse ekzistojnë janë në konflikt për territore, le të shohin, shembull, njërin prej shkrimeve kryesore të nacionalizmit serb “Srbi svi i svuda”, (Serbët të gjithë dhe kudo) të Vuk Karaxhiqit (botuar në vitin 1849). Aty, në fakt, shqiptarët dhe vendet që ata i banojnë nuk luajnë ndonjë rol të veçantë. Karaxhiqi, kështu, vetëm e konstaton se “ende nuk dihet se sa ka serbë në Shqipëri dhe Maqedoni”. Për më tepër, në kuadër të këtyre referencave modeste për shqiptarët, Karaxhiqi shfaq respekt për ta si trima sepse, për dallim prej serbëve, kanë solidaritet ndaj bashkëkombësve të vet që janë të fesë tjetër dhe kanë ndjenjën e bashkësisë që i tejkalon ndasitë dhe dallimet fetare. Andaj, në të kaluarën, autorët serbë as nuk dinin shumë e as që interesoheshin shumë për shqiptarët. Shumë më tepër informata për shqiptarët gjejmë në shkrimet e malazezëve apo për Malin e Zi, meqë për më shumë se një shekull figura më e theksuar e shqiptarit ishte ajo e një malësori që e banon zonën e kontakteve me malazeztë – asokohe kryesisht të konsideruar si serbë – e që përfshin Shqipërinë e sotme Veriore dhe Luginën e Zetës.
Kështu, historinë më të vjetër malazeze e përbën një shkrim, i cili në vitin 1754 është hartuar dhe dërguar në oborrin perandorak rus, nga sundimtari Vasilije Petroviq Njegosh, i afërm i shkrimtarit shumë më të njohur serbo-malazias Njegoshit (Petar Petroviqi II), me dëshirën që të nxisë interesimin e Rusisë së madhe për çështjet e Malit të Zi. Ai, aty, shqiptarët i përshkruan si “një popull i guximshëm që jeton rreth nesh… me natyrë luftarake“, të cilin turqit nuk kanë arritur ta nënshtronin deri në fund, andaj dhe në këtë fakt duhet parë shprehjen e një respekti të sinqertë përndaj shqiptarëve dhe trimërisë së tyre.
Nga ato vite është edhe “Përshkrimi i shkurtër politiko-gjeografik i Malit të Zi” (1757), të cilin, sërish për oborrin rus, e ka hartuar Jovan Stefanov Baleviq, doktori i parë malazias i shkencave, përndryshe i lindur në Bratonozhiq, i cili thotë se si malazeztë “n’vete i numërojnë edhe katolikët: Hotët, Klimentët, Grudët, Tuzët, Shkrivalët, Huzët, Maltezët, Kastratët, e të tjerë, të cilët me traditat i tyre i tejkalojnë malazeztë”. Me fjalë të tjera, Baleviqi shqiptarët katolikë praktikisht i paraqet si të afërm të malazezve, të cilët “n’vete i numërojnë”.
Një numër burimesh të mëvonshme e konfirmojnë këtë traditë lokale. Nga mesi i shekullit XIX, konsulli austriak në Shkodër, Johanes Han, ka shënuar në mesin e shqiptarëve traditën e gjashtë vëllezërve si zanafillë e fiseve Piper, Kuç, Hot, Bonekqi, Vasojeviq dhe Krasniq, prej të cilëve tre janë serbo-malazez, e tre të tjerë shqiptarë. Disa dekada më vonë të njëjtën traditë e ka shënuar, por tani në mesin e malazezve, udhëpërshkruesi serb Spiridon Gopçeviq. Nga fundi i shekullit XIX, siç duket, në mesin e malazezve dhe në mesin e shqiptarëve gjithnjë e më e popullarizuar është tradita e pesë vëllezërve – Vasës, Krasës, Ozrit, Pipit dhe Otës, nismëtarë të fiseve Vasojeviq, Krasniq, Ozriniq, Piper dhe Oti (tri fise malazeze dhe dy fise shqiptare). Kësaj duhet shtuar edhe gojëdhënat për prejardhjen e përbashkët shqiptaro-serbe të Kuçëve, sikur edhe vëllazëritë e shumta të tjera malazeze dhe shqiptare-veriore. Shkurt, edhe pse numri i saktë i emrave të vëllezërve dhe fiseve ndryshon në burimet e ndryshme, nuk ka dyshim se një numër i caktuar i fiseve malazeze dhe atyre shqiptare kanë kultivuar historinë për prejardhje të përbashkët prej të njëjtit pararendës dhe tradita tjera të afërsisë së ndërsjellë.
Kleri është përpjekur të çrrënjosë edhe traditën e vëllazërimit të ndërsjellë mes malazezve dhe shqiptarëve, që u është dukur në kundërshtim me dogmën e krishterë. Termi serb dhe sllav pobratim, krahas kësaj, pothuaj se është i njëjtë me termin nga Shqipëria e Veriut, probatim, për dallim nga jugu i Shqipërisë, ku për përdoret termi vëllam. Vëllazërimi, në esencë, paraqet një ritual formalizues të miqësisë mes dy meshkujve, që më pas konsiderohet si afri familjare. Derisa Kisha Ortodokse Serbe pak a shumë e ka toleruar këtë zakon, e diku madje edhe ka lejuar që ai të kryhet në kishë, zyrtarët katolikë në Shqipëri, edhe pse pa sukses, janë përpjekur ta ndalojnë.
Për dallim nga kleri katolik që këtë traditë e shfaq në dritë negative, burimet lokale ofrojnë shumë shembuj të vëllazërimeve dhe kumbarive mes serbëve/malazezve në zë dhe shqiptarëve të respektuar. Mark Milani, vojvodë malazez dhe heroi më i madh i kohës së vet, në librin “Primjeri čojstva i junaštva” (Shembuj të trimërisë dhe heroizmit), këtë traditë e përshkruan si shumë pozitive:
“Vëllazërimi në atë kohë ka kryer mjaft shërbime në këtë rajon të çmendur. Janë vëllazëruar njerëz të mirë. Ashtu janë afruar dhe e kanë forcuar njëri-tjetrin dhe me vëllazërimin më lehtë i kanë dalë përballë së keqes, ndërsa i kanë ndihmuar së mirës. Vëllazërimi në atë kohë është vlerësuar shumë dhe i ka afruar njerëzit. Shqiptarët edhe tash besojnë se nga vëllazërimi është vëllai, sepse vëllai është nga babai e nëna, e pobratimi është nga Zoti dhe sipas dashurisë së Zotit, dhe kështu ata më parë do të marrin armën për hakmarrje për pobratimin sesa për vëllanë“.
Etnografët dhe udhëpërshkruesit e kohës së luftës i përshkruajnë edhe traditat e tjera të ngjashme te serbo-malazeztë dhe shqiptarët, siç janë mikpritja e theksuar dhe kodi heroik-etik, të cilat emërtohen si čojstvo, përkatësisht besa, që janë të gjitha mënyra për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet bashkësive të ndryshme, madje edhe në konflikt, çfarë ishin fiset e Shqipërisë së Veriut dhe Malit të Zi, në të cilat konfliktet brenda fisit dhe mes fiseve ishin fenomen i përditshëm. Këto ngjashmëri janë posaçërisht të dukshme nëse krahasohen dy format më gjithëpërfshirëse të traditave kanunore të hercegovasve, malazezve dhe shqiptarëve, siç janë “Zborniku” i Valtazar Bogishiqit dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, për të cilin kanë shkruar një numër autorësh.
Kështu, ekzistojnë shumë rrëfime shqiptare dhe serbo-malazeze për mikpritësit që në shtëpi kanë pranuar një të huaj në ikje dhe e kanë mbrojtur, madje edhe me çmimin e jetës së vet. Këta njerëz janë shndërruar në objekt admirimi dhe heronj të rrëfimeve e këngëve në traditën e tyre lokale, sepse zakoni i mikpritjes urdhëron që secili që hyn në shtëpi, duhet të pritet mirë dhe të mbrohet, madje edhe nëse bëhet fjalë për armikun më të madh, i cili përndryshe i nënshtrohet gjakmarrjes.
Në fund, edhe pse sot në mesin e serbëve është e ngulitur bindja se festat e shenjtorëve janë traditë vetëm serbe, të dhënat tregojnë se në Shqipërinë Veriore këto janë festuar me të njëjtit emra sikurse edhe te serbët. Studiuesit kanë vërtetuar se numri më i madh i vëllazërive malazeze, që sipas gojëdhënave kanë prejardhje nga Shqipëria Veriore, e festojnë Shën Nikollën (Shën Kollin), sikur edhe të gjithë malësorët, përkatësisht fiset nga Shqipëria Veriore dhe Zeta. Për më tepër, janë madje sistematike përpjekjet që të çrrënjoset shënimi i Nikoldanit në mesin e shqiptarëve të islamizuar, dhe aty ka pasur vetëm sukses të pjesshëm. Thënë shkurt, burimet e hershme të shkruara deri në gjysmën e shekullit XIX ofrojnë shembuj të bollshëm të respektimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit mes malësorëve serbo-malazezë dhe atyre shqiptarë, dhe i përshkruajnë ata si të ngjashëm dhe të afërt në shumë aspekte. Natyrisht, do të ishte e tepruar që në bazë të këtyre burimeve të nxirret konkluzioni se kurrfarë armiqësish apo konfliktesh nuk ka pasur mes popullatës serbe dhe shqiptare asnjëherë, posaçërisht nëse kemi parasysh se në shoqëritë fisnore në Ballkanin qendror konfliktet mes fiseve të caktuara ishin ngjarje e rëndomtë.
Megjithatë, shkrimet e përmendura tregojnë se serbët dhe shqiptarët në një periudhë nuk i kanë perceptuar marrëdhëniet e veta, para së gjithash, përmes termeve të armiqësisë dhe padurimit. Në fund, meqë qëllimi i këtij libri është që të riafirmojë zërat e miqësisë dhe respektit ndaj shqiptarëve, posaçërisht i kujtojmë dy personalitete të rëndësishme publike serbe, të cilat, secili në mënyrën e vet, i janë kundërvënë histerisë antishqiptare që i ka përfshirë shoqërinë dhe mediet serbe në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.
I pari është tashmë i përmenduri Mark Milani. Këtë luftëtar të famshëm serbo-malazias, të lindur në Kuç, në kufirin shqiptaro-malazias rreth vitit 1830, e kanë konsideruar si heroin më të njohur të kohës së vet Kuçët, serbo-malazeztë e tjerë dhe shqiptarët (të cilët për të kanë edhe këngë popullore). Duke parë, sikur të ishte një hero i filmave vestern të Sergio Leones, se koha e heroizmit individual, bashkësive të çetave dhe fiseve është në perëndim, ky trim në vitet të shtyra ka vendosur të mësojë shkrim-lexim dhe që “famës së shpatës t’ia shtojë edhe famën e penës”, siç kishte thënë Danilo Kishi, para së gjithash, që të ruajë kujtimet për fisin e tij dhe heroizmat e malësorëve në përgjithësi. Në dy librat e tij të botuar në fillim të shekullit XX, Milani i lartëson shqiptarët si trima të mëdhenj dhe njerëz të ndershëm. Edhe pse vepra e tij më e njohur, koleksioni i rrëfimeve i titulluar “Primjeri čojstva i junaštva”, edhe sot është e popullarizuar, lexuesit dhe interpretuesit sikur me ngulm anashkalojnë se ajo përmban lavdërim të qartë të shqiptarëve dhe trimërisë së tyre, sepse madje një e treta prej 70 shembujve të përzgjedhur të heroizmave, fisnikërisë dhe mikpritjes aty janë vepra fisnike të malësorëve shqiptarë. Në librin e tij të dytë, “Život i običaji Arbanasa” (Jeta dhe traditat e shqiptarëve), ai në mënyrë eksplicite e nxjerr synimin e tij që të kundërshtojë mendimin e përhapur se shqiptarët nuk janë të civilizuar:
“Traditat shqiptare nuk u janë të njohura njerëzve tanë që janë pak më larg prej tyre; andaj dhe u duket disave se ata janë më të ashpër e të egër, më shumë se popujt tjerë, por mua më duket se nuk është ashtu… dhe unë do të përmendi këtu diç pak prej traditave të tashme që mua më pëlqejnë… Shqiptari, kur sulmohet prej fuqie, mbetet vetja e tij e i pandryshuar, as nuk çlirohet, por e mban gjuhën e vjetër dhe pushkën, me të cilat qe lindur. Kjo të bën të mendosh se ka diçka në atë popull më të mirë dhe më të qëndrueshme se te tjerët… Kemi parë sa shumë duron ai popull, ndërsa ndershmërinë e dëshiron, aq sa arrin të kap fuqia e tij e mendimit. E respekton vëllazërimin, miqësinë, mikpritjen dhe gjërat tjera, të mëdha e të vogla.”
Derisa Mark Milani ishte besnik i traditës heroike dhe një trim i llojit të moçëm, gjysmë shekulli më i ri se ai, Dimitrije Tucoviqi, ishte një personalitet modern, i arsimuar në Perëndim, dhe njëri prej ithtarëve të parë e më të zëshëm të ideve socialiste në Serbi. Tucoviq ishte i tmerruar me histerinë antishqiptare tek intelektualët serbë dhe në mediet serbe. Andaj, në fillim të vitit 1914, ai botoi librin “Srbija i Arbanija: jedan prilog kritici zavojevačke politike srpske buržoazije” (Serbia dhe Shqipëria: një kontribut kritikës së politikës pushtuese të borgjezisë serbe), në të cilin ai e kritikon politikën e jashtme serbe si një politikë pushtuese. Tucoviqi konsideronte se një sjellje e tillë domosdo çon në disfatë dhe si një orakull paralajmëroi se ajo shkakton shumë viktima, dhe që në të ardhmen do t’i shkaktojë edhe më shumë. Fjalët e Tucoviqit, për fat të keq, edhe sot nuk e kanë humbur aktualitetin:
“Sot është bërë shumë e rrezikshme të predikohet për nevojën e punës së përbashkët me shqiptarët. Në lojën shkatërruese që arsyeton një politikë të mbrapshtë, shtypi borgjez për shqiptarët ka ndërtuar një kullë të tërë mendimesh të pavërteta dhe tendencioze, ndërsa politika pushtuese e Serbisë me metodat e veta barbare duhet t’i ketë mbushur shqiptarët me urrejtje të thellë ndaj neve”.
Këta dy zëra, secili në mënyrën e vet, mishërojnë esencën e tonë për miqësi – njëri paraqiste vlerat dhe virtytet e vjetra, duke afirmuar ato që janë më të mirat që shoqëritë tona tradicionale mund të ofrojnë. Tjetri promovonte bashkëpunimin ballkanik dhe ndërlidhjen në themelet e parimeve social-demokratike, duke ndjekur idealet më përparimtare emancipuese evropiane të kohës së vet. Në këtë kuptim ata paraqesin dy qasje shembullore, parimore, me të cilat mund të ndryshohen pamjet negative që kohë të gjatë kemi për njëri-tjetrin, dhe kështu, me gjithë diskursin e sotëm të armiqësisë, mund të promovohen marrëdhënie të tjera, miqësore mes nesh.